Rrjeti i Reagimit të Koordinuar

rNë vitin 2006, parlamenti shqiptar miratoi ligjin e  parë për dhunën në familje në Shqipëri. Baza ligjore për adresimin e dhunës është Ligji “Për Masat ndaj Dhunës në Marrëdhëniet Familjare” Nr.9669, datë 18.12.2006. Miratimi dhe hyrja në fuqi e këtij ligji në 2006 dhe amendimeve të tij më 2007 dhe më tej më 2010 është një hap i rëndësishëm drejt plotësimit të kuadrit ligjor në fushën e dhunës në familje. Qëllimi i këtij ligji është të parandalojë dhe pakësojë dhunën në familje në të gjitha format e saj me anë të masave të përshtatshme ligjore, si dhe të garantojë mbrojtjen me mjete ligjore të anëtarëve të familjes që janë objekt i dhunës në familje. Ligji ka katër objektiva kryesore:
1.    Të krijojë një rrjet të bashkërenduar të autoriteteve përgjegjëse për mbrojtjen, mbështetjen dhe rehabilitimin e viktimave, dhe për zbutjen e pasojave të dhunës në familje dhe parandalimin e saj;
2.    Të drejtojë përpjekjet për krijimin e strukturave dhe organeve përgjegjëse në nivel qendror dhe vendor për mbështetjen e viktimave dhe parandalimin e dhunës në familje;
3.    Të fuqizojë kompetencat e organeve gjyqësore në marrjen e masave mbrojtëse kundër dhunës në familje;
4.    Të sigurojë/garantojë që viktimave të dhunës t’u ofrohen shërbime të shpejta, jo të kushtueshme, dhe të thjeshta nga gjykatat dhe organet e tjera ligj-zbatuese në përputhje me ligjin.
Ligji “Për Masat ndaj Dhunës në Marrëdhëniet Familjare” organizon gjashtë institucione qeveritare në një rrjet të bashkërenduar autoritetesh për mbrojtjen, mbështetjen dhe rehabilitimin e viktimave, zbutjen e pasojave dhe parandalimin e dhunës në familje. Autoriteti drejtues sipas këtij ligji është MMSR. Autoritete të tjera përgjegjëse janë Ministria e Brendshme, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Arsimit dhe njësitë e qeverisjes vendore. Në vitin 2011, në zbatim të nenit 100 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenit 8/8 të ligjit “Për Masat ndaj Dhunës në Marrëdhëniet Familjare” (ndryshuar në vitin 2010), Këshilli i Ministrave vendosi krijimin e “Mekanizmit të bashkërendimit për referimin e rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare dhe mënyrën e procedimit të tij”. Në bazë të këtij vendimi u krijuan komitete drejtuese përgjegjëse për bashkërendimin e veprimit të organeve kompetente përgjegjëse në nivel vendor dhe për referimin e rasteve të dhunës në familje, si dhe u përcaktuan përgjegjësitë e ekipeve teknike ndër-dikasteriale dhe të bashkërenduesve vendore për referimin e rasteve të dhunës në kushtet e familjes.

Qendra për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen” është një nga organizatat e para që u bë pjesë e Mekanizmit të Koordinuar të Referimit të Dhunës në Marrëdhëniet Familjare, të financuar ga UNDP-ja, dhe mbështetur nga Bashkia e Durrësit, e cila ka për qëllim implementimin në përputhje me zbatimin e Ligjit nr.9669 datë 18.12.2006 “Për Masa Kundër Dhunës në Marrëdhëniet Familjare.

Qendra per Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen” u zgjodh si një OJQ që plotëson të gjitha detyrimet dhe kushtet e kërkuara nga UNDP dhe plotëson në mënyrën më të mirë nevojat e viktimave të dhunës. Sistemi elektronik për regjistrimin e të dhënave që kanë të bëjnë me menaxhimin e rasteve të dhunës në familje, është instaluar në Bashkinë e Durrësit, me mbështetjen e UNDP-së në gusht-shtator 2010.
Viktimat mund të përfitojnë nga format e ndryshme të mbështetjes të ofruara nga qendra të tilla si: mbështetje ligjore, mbështetje psikologjike, këshillim nëpërmjet telefonit etj.

Qendra ofron një mjedis me të gjitha kushtet e nevojshme për strehim optimal të viktimës për një periudhë prej 1-2 ditore, për rastet emergjente të viktimave të dhunës në familje dhe atyre që janë në rrezik për jetën . Bashkëpunimi me Drejtorinë e Politikave ofron 24 orë strehim të sigurt të viktimave në këtë qendër. Në këto raste janë dhënë veshje dhe ushqim.

Pas eksperiencës së suksesshme në Durrës, QZHK “Sot për të Ardhmen” u bë pjesë e Mekanizmit të Koordinuar të Referimit të Dhunës në Marrëdhëniet Familjare në Tiranë, ku tashmë operon aktivisht për zgjidhjen e cështjeve të dhunës në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e tjera të rrjetit si Bashkia e Tiranës, Gjykata, Policia etj.

 

 

 

 

 

Spote Promocionale